MBIKËQYRJE DHE INSPEKTIM NË PUNËN E AGJENCISË SË ZBULIMIT


Mbikëqyrja dhe inspektimi në punën e Agjencisë së zbulimit realizohet nga pushteti legjislativ, pushteti ekzekutiv dhe nga pushteti gjyqësor. Me Ligjin për Agjencinë e zbulimit është përcaktuar mbikëqyrja e punës së Agjencisë. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) kryen mbikëqyrje të punës së Agjencisë përmes Komisionit për mbikëqyrje dhe inspektim mbi punën e Agjencisë së zbulimit dhe Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim. Agjencia dorëzon raport për punën e kryer së paku një herë në vit deri tek Kuvendi i RMV. Gjegjësisht, drejtori i Agjencisë së zbulimit dorëzon Raport vjetor për punën e Agjencisë së zbulimit deri tek Komisioni, ku arsyetohen gjitha sferat e veprimit të Agjencisë së zbulimit për vitin e kaluar. Kuvendi i RMV i dorëzon konkludimet nga raporti i Komisionit deri tek Kryetari i RMV dhe deri tek Qeveria e RMV.

Zonat ku zbatohet inspektimi parlamentar i punëve në Agjencinë e zbulimit janë:

  • ligjshmëri në kryerjen e punëve,
  • efikasiteti në kryerjen e punëve
  • racionaliteti në shpenzimin e mjeteve buxhetore për kryerjen e punëve.

Kryetari i RMV, Qeveria e RMV, Ministria për financa, gjyqësori, Avokati i popullit dhe opinioni realizojnë mbikëqyrje dhe inspektim të plotë ose parcial mbi punën e Agjencisë së zbulimit. Gjatë kryerjes së punëve të zbulimit, një nga faktorët kyç të sigurimit të mekanizmave për ndjekje është ligjshmëria në punë. Mekanizëm i rëndësishëm në këtë kontekst është Ligji për revizion të brendshëm, sipas të cilit në institucionin tonë funksionon njësi e veçantë organizative nga korriku i vitit 2005 (Departamenti për revizion të brendshëm), në vartësi hierarkike tek drejtori i Agjencisë së zbulimit. Qëllimi i kësaj njësie është sigurimi i vlerësimit të pavarur dhe objektiv të menaxhmentit, e kjo në funksion të përmirësimit të punës dhe sistemeve për inspektim të brendshëm.

Enti shtetëror për statistikë, në pajtim me parimet për informim në kohë dhe objektiv të organeve përkatëse shtetërore dhe të opinionit për revizionet e kryera të shfrytëzuesve të mjeteve publike, kryen inspektim në punën e Agjencisë.

Me miratimin e Ligjit për informacione të klasifikuara, Drejtoria për siguri të informacioneve të klasifikuara fiton rëndësi të veçantë në koordinimin e mekanizmave kontrolluese. Në këtë kontekst, tepër i rëndësishëm është roli i personit të autorizuar, jo vetëm në shërbimet e zbulimit dhe të sigurisë, por më gjerë edhe në organet tjera shtetërore që punojnë me informacione të klasifikuara. Në drejtim të funksionit kontrollues dhe zbatimit ligjor të detyrave profesionale janë edhe aktet e brendshme normative, të miratuara nga drejtori i Agjencisë së zbulimit ose nga Qeveria e RMV me propozim të drejtorit të Agjencisë së zbulimit, dhe me të cilat rregullohen sferat e funksionimit të Agjencisë së zbulimit që nuk janë rregulluar me ligjin ose aktet nënligjore.

  • Agjencia e zbulimit ka emëruar person zyrtar për ndërmjetësim me informacione të karakterit publik, në pajtim me nenin 8 nga Ligji për qasje të lirë deri tek informacionet me karakter publik.
  • Të dhënat për kontakt me Agjencinë e zbulimit janë publikuar në ueb-faqen e Komisionit për ndërmjetësim me informacione të karakterit publik.