Shkup - 28 maj 2021
Një numër i madh temash janë në fokusin e interesit publik në kohën e rritjes së sfidave të brendshme dhe ndërkombëtare - shëndetësore, rajonale, integruese dhe të gjitha me një emërues të përbashkët - sigurinë. Për disa prej tyre biseduam me Erolld Musliun, drejtor i Agjencisë së Zbulimit (AZ), një institucion nën juridiksionin e presidentit të shtetit. Ai është i autorizuar për mbledhjen, analizimin dhe përpunimin e informacioneve të zbulimit, të rëndësishme për sigurinë, mbrojtjen, interesat politike, ekonomike etj. të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
DV: A patën sukses strategjitë hibride, të cilat e shfrytëzuan pandeminë për të tërhequr trajektore për ndikimin e tyre, kryesisht përmes gjilpërës - nga vaksinat, përmes dhurimeve, deri te propaganda mediatike dhe gjithçka që mund të specifikohet nën atë paketë anti-pandemike, por me një etiketë të dukshme gjeopolitike?
Erolld Musliu: Shtetet që ushtrojnë ndikim hibrid mbi rajonet, që janë në sferën e tyre të interesit, abuzuan me pandeminë për të promovuar interesat e tyre shtetërore. Deri më tani, një qasje e tillë kishte efekt në segmente të caktuara të opinionit publik për prirje dhe favorizim të vendeve dhe vaksinave të caktuara dhe në lidhje me procedurat e tyre për donacione. Në planin afatshkurtër, një qasje e tillë mund të thuhet se ishte e frytshme, por në planin afatgjatë një veprim i tillë nuk është i qëndrueshëm dhe në të ardhmen nuk mund të përdoret si platformë për zbatimin e strategjive hibride. Sigurisht, suksesi i kundërshtimit të një veprimi të tillë është se sa shtetet e njohin atë si një kërcënim, e kundërshtojnë në mënyrë adekuate dhe zhvillojnë qëndrueshmëri. Ne, si një anëtar i NATO-s, së bashku me aleatët tanë, e identifikuam dhe e njohëm shpejt këtë strategji dhe e vendosëm veten në përputhje me rrethanat. Është e nevojshme që në periudhën e ardhshme, në bashkëpunim me palët e tjera të interesit në fushën e sigurisë, bashkërisht të ndikojmë në ngritjen e kulturës së sigurisë në institucione dhe në shoqërinë tonë në përgjithësi, me qëllim që të bëhemi më rezistent ndaj ndikimeve që janë pjesë e strategjive hibride të aktorëve gjeostrategjikë.
Gjatë kësaj periudhe pandemie, u shfaqën non-paper-a të shumtë, me të cilët dërgohej mesazh se problemet dhe konfliktet e ngrira mund të zgjidhen duke vizatuar kufij të rinj në disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. A ka AZ-ja njohuri se kush qëndron pas tyre?
Konstelacionet në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë shumë më komplekse dhe të komplikuara për t’u zgjidhur me non-paper. AZ-ja e ndjek publikimin e tyre dhe mund të konstatoj se ato nuk e arritën efektin e dëshiruar. Identifikuam se kjo ishte një çështje me interes për ekspertët, kurse politikanët nuk kishin guximin t’i shprehnin pikëpamjet e tyre. Interesi kryesor i AZ-së është se kush është krijuesi i atyre dokumenteve dhe cili është qëllimi i tyre. Gjetjet të çojnë në konkluzionin e zbulimit se disa politikanë në rajon po përpiqen të shkojnë përtej kufijve të tyre, në përpjekje për të paraqitur veten para BE-së si një adresë e rëndësishme, që mund të ndihmojë në procesin e zgjidhjes së çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor. Disa prej tyre e mbivlerësojnë fuqinë dhe bazohen në kontakte të mira në grupe të ndryshme lobimi që ekzistojnë në BE. Unë rrezikun e shoh, mbi të gjitha, në faktin që politikanët nga rajoni i Ballkanit Perëndimor të hyjnë në matricën e strategjisë hibride, dhe kështu të jenë një mjet për realizimin e skenarëve të të ashtuquajturave non-paper-a. Non-paper-at me lehtësi vizatojnë zgjidhje të bazuara në parimin etnik, megjithëse është e qartë për të gjithë se pas shpërbërjes së RSFJ-së, shtetet e reja u formuan në bazë të kufijve të atëhershëm administrativ, dhe jo në bazë të parimit etnik. Shfaqja e dokumenteve të tilla jozyrtare me propozime të guximshme është një paralajmërim i zvarritjes së dialogut zyrtar midis Beogradit dhe Prishtinës dhe bisedimeve të tjera mbi çështje të hapura në rajon.
Në një rast keni thënë që Bullgaria nuk është çështje sigurie. Po, ajo është partnerja jonë në NATO, por bllokada e saj në rrugën evropiane maqedonase ndikon në stabilitetin këtu dhe në rajon. Kur përballë nesh kemi dhe partner dhe frenues, si i qaseni trajtimit të kësaj çështjeje?
Është e vërtetë që kam deklaruar dhe akoma jam i mendimit se marrëdhëniet e RMV-së me Bullgarinë nuk janë çështje sigurie. Ajo është çështje politike, për të cilën po diskutohet në nivel dypalësh dhe brenda BE-së. Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë nga viti 2017 është një bazë e fortë për zgjidhjen e problemit, me atë që edhe BE-ja duhet të marrë një pozicion proaktiv për zbatimin e saj. Por, meqenëse pyetja Juaj i referohet stabilitetit të rajonit, dhe jo vetëm RMV-së, mund të konstatohet se bllokimi i rrugës evropiane të RMV-së do të ndikojë negativisht në rajon dhe do t'u jepet hapësirë për veprim forcave të tjera gjeopolitike, për të cilat rritja e euroskepticizmit do të ndikojë pozitivisht në realizimin e qëllimeve të tyre strategjike. AZ-ja është përqendruar në identifikimin nëse prapa pengesave në proceset e integrimit evropian të RMV-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor eventualisht qëndrojnë forcat e tjera gjeopolitike, të cilat kanë interes ta ngadalësojnë procesin e zgjerimit të BE-së, d.m.th integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
A ishte dëbimi i fundit i një diplomati rus akt solidariteti apo kishte sfond tjetër? Një medie gjithashtu publikoi informacion në lidhje me një incident në një objekt hotelierik në Shkup, në të cilin ishte përfshirë një person nga ambasada ruse.
Është fakt që aleatët tanë të NATO-s dëbuan rreth 40 diplomatë rusë nga vendet e tyre për përfshirje në veprimtari të palejueshme zbuluese-diplomatike në territoret e tyre. Lidhur me çështjen në vendin tonë, nuk bëhet fjalë për akt solidariteti, por diplomati i përmendur rus nuk respektoi kodin diplomatik dhe integritetin e institucioneve tona. Çështja është proceduar në detaje në bashkëpunim me disa institucione në vendin tonë, për të cilat ambasada Ruse është informuar si duhet. Në lidhje me rastin e dytë, bëhet fjalë për një zyrtar në ambasadën e Federatës Ruse, i cili kishte bërë një incident me punonjësit në një objekt hotelierik në Shkup, duke u rezistuar ndaj veprimeve zyrtare të ndërmarra, duke prishur kështu rendin dhe qetësinë publike. Për këtë sjellje të pahijshme të zyrtarit rus, u informua siç duhet ambasada ruse. Në lidhje me raste të tilla, fakti që RMV-ja është një vend i vogël i parëndësishëm për sa i përket sipërfaqes gjeografike, por duhet të dihet që pozicioni ynë gjeostrategjik ka vlerë për NATO-n dhe BE-në. Shërbimet tona mund të duken të vogla, por unë ju siguroj se ne jemi efikasë dhe kurrë nuk do të lejojmë që të mos respektohen institucionet dhe punonjësit tanë në pozicione të ndjeshme.
Pas rastit të 215 pasaportave të lëshuara në mënyrë të paligjshme për bosët e drogës dhe persona të rrezikshëm për sigurinë tonë dhe të vendeve të tjera, lindi pyetja - si është e mundur që shërbimet operative në Ministrinë e Brendshme, ASK dhe AZ nuk kishin asnjë indikacion se diçka po ndodhte - që njerëz me një profil të tillë vijnë këtu, qëndrojnë dhe pa ndonjë problem marrin pasaporta? Cilat janë implikimet nga kjo çështje?
Pritet të shfaqen implikimet e këtij fenomeni të lëshimit të paligjshëm të pasaportave për persona, anëtarë të grupeve kriminale dhe ekstremiste. Fakti që persona të tillë posedojnë pasaportë "ligjore" seriozisht pengon përpjekjet për t'i gjurmuar, identifikuar vendndodhjen dhe aktivitetet e tyre. Për njohuritë që disponon AZ-ja, ajo i informoi në kohë institucionet kompetente dhe shërbimet partnere. Shqetëson fakti që me pasaporta të tilla janë pajisur ekstremistët me përvojë në Siri, anëtarë të bandave kriminale, të përfshira në likuidime në Ukrainë dhe Greqi dhe individë të përfshirë në forma serioze të krimit të organizuar, në lidhje me trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave. Sigurisht, që ky rast duhet të jetë një mësim në të ardhmen për forcimin e standardeve të sigurisë në institucionet shtetërore, integritet më të madh profesional të punonjësve dhe mekanizma mbrojtës efikas.
Instituti Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Afërt dhe Ballkanin (IFIMES) në Lubjanë, duke cituar analistë pa emër, njoftoi se ekziston një operacion zbulimi i quajtur "Kërcim i kalit", qëllimi përfundimtar i të cilit ishte kthimi i Nikolla Gruevskit në vend dhe përmbysja e qeverisë aktuale, nëpërmjet prodhimit të vazhdueshëm të skandaleve të shumta. A keni njohuri për një operacion të tillë?
Sipas ligjit, AZ-ja është institucioni kompetent për mbledhjen e njohurive mbi kërcënimet e jashtme dhe kryerjen e operacioneve jashtë vendit. Ju siguroj se për momentin nuk kemi njohuri, as jemi informuar nga shërbimet partnere që po zhvillohet një operacion nën emrin e kodit të regjistruar si "Kërcim i kalit". Teksti i IFIMES-it u referohet njohurive serioze që nuk japin një pamje të qartë se si është arritur tek ato, por u referohet analistëve pa emër nga qarqe ndërkombëtare. Drejtuesit e IFIMES-it kanë qenë mysafirë të shpeshtë në vendin tonë, me këtë rast do t'i ftoja, nëse kishin informacione më konkrete në lidhje me këtë operacion, për t’i diskutuar së bashku. Është detyrimi ynë të dërgojmë një ftesë të tillë, sepse si mbrojtës të sigurisë kombëtare ne kemi detyrimin të mbrohemi nga një destabilizim i mundshëm i shpallur në tekstin e tyre. Lidhur me rastin e Nikolla Gruevskit, mendoj se e gjithë ndihma juridike ndërkombëtare dhe komunikimi zhvillohet përmes Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa në pjesën e bashkëpunimit me Interpolin përmes Ministrisë së Brendshme.
Cilat janë rreziqet më të mëdha të sigurisë për RMV-në për momentin?
Momentalisht ekzistojnë disa sfida të rëndësishme të sigurisë për RMV-në. Por duhet të kemi parasysh se me hyrjen e RMV-së në NATO, sfidat e sigurisë për NATO-n janë bërë sfida të sigurisë edhe për sigurinë tonë kombëtare. Së pari, do të përmendnim rivalitetin gjeopolitik që po zhvillon strategji hibride për veprim në rajon. Kjo përfshin përhapjen e lajmeve të rreme, veprime politiko-diplomatike, veprime të zbulimit, promovim të interesave ekonomike dhe të biznesit, diplomaci kulturore dhe së fundmi diplomaci kovid. Një sfidë tjetër e sigurisë është në fushën e terrorizmit, ku çështja e luftëtarëve të huaj terroristë është ende e rëndësishme, për sa i përket përcaktimit të vendndodhjes së mbetjeve të armatosura, kthimit të të burgosurve dhe atyre që janë në kampe humanitare. Bëhet fjalë për disa anëtarë të ISIS-it, të cilët ndodhen në një burg të kontrolluar nga SDF (Syrian Democratic Forces), si dhe disa gra dhe fëmijë në kampe humanitare, gjithashtu, të kontrolluara nga SDF. Për një kohë të gjatë, kjo strukturë ka qenë një sfidë për institucionet tona në drejtim të riatdhesimit të tyre, d.m.th. marrja përsipër dhe transferimi nga vendet aktuale në Siri në vendin tonë. Gjatë kësaj periudhe, së bashku me institucionet kompetente në vendin tonë dhe partnerët ndërkombëtarë, ne jemi duke punuar në mënyrë aktive për këtë plan, dhe shpresoj në një rezultat të shpejtë dhe pozitiv. Kur të përfundojmë këtë aktivitet, AZ-ja brenda kompetencës së saj do të vazhdojë të punojë në gjetjen e vendndodhjes së disa prej qytetarëve tanë të mbetur, që po luftojnë në radhët e HTS (Hay'at Tahrir al-Sham). Prioriteti ynë është puna për mbledhjen e njohurive rreth kërcënimeve të tjera asimetrike në fushën e krimit të organizuar, këtu, para së gjithash, mendoj për migrimin e paligjshëm, jo vetëm si fenomen, por edhe si një mjet në strategjinë hibride të aktorëve gjeostrategjikë dhe gjeopolitikë rajonalë. Jo më pak interes për punën e Agjencisë dhe bashkëpunimin me shërbimet partnere janë kanalet ndërkombëtare të trafikut të lëndëve narkotike. Sigurisht, ne gjithashtu, mbetemi të përqendruar në sigurimin e informacionit përkatës në lidhje me pandeminë, e cila ka zgjatur për më shumë se një vit dhe ndikimin e saj në sigurinë rajonale.
Sa ndikoi anëtarësimi i vendit në aleancën më të fuqishme ushtarako-politike në përmirësimin e standardeve të punës në AZ dhe në bashkëpunimin me shërbimet partnere?
Anëtarësimi i vendit në aleancën më të fuqishme ushtarako-politike ka ndryshuar thelbësisht pozicionin, punën dhe filozofinë e AZ-së. Qëllimi ynë është që përmes informacionit dhe analizës së Agjencisë të ndikojmë në procesin e vendimmarrjes me interes strategjik dhe që lidhet me politikën për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, e cila është dhe përparësi strategjike e NATO-s. Në planin e brendshëm, ne e përmirësuam strukturën organizative dhe kemi ngritur standardet e sigurisë, të cilat janë rregulluar me ligjin e ri të AZ-së. Në kuadër të Aleancës, AZ-ja u bë partner i barabartë me qasjen në informata, e rriti efikasitetin, u hapën mundësi të reja për arsim dhe pjesëmarrje në konferenca. Në të njëjtën kohë, AZ-ja ka mundësinë të kontribuojë në identifikimin e kërcënimeve dhe të shkëmbejë informacion, të shprehë pikëpamje dhe të shkëmbejë mendime me homologët e saj nga Aleanca, me çka i përmirëson kapacitetet vetjake të institucionit.