Shkup - 25 tetor 2021

Aleksandra Bakrevska-Dodovska për emisionin “360 gradë” në temë për barazinë gjinore në Agjencinë e Zbulimit


Zëvendësdrejtoresha e Agjencisë për Zbulim, Aleksandra Bakrevska-Dodovska, në një rrëfim në kuadër të emisionit “360 gradë”, në të cilin trajtohej tema e barazisë ndërmjet burrave dhe grave, foli për barazinë gjinore në Agjencinë për Zbulim dhe parandalimin e diskriminimit sipas ligjit të ri për AZ-në, të miratuar më 25 janar të vitit 2021.

Në këtë kontekst, Bakrevska-Dodovska theksoi se gratë në Agjencinë për Zbulim kanë qenë pjesë e procesit të ndërtimit të institucionit që nga fillimi në vitin 1998, por megjithatë, pozitat e larta drejtuese u takonin burrave, ndërsa gratë ishin ekzekutore apo në pozita drejtuese, që ishin mbështetje në ciklin e punës së zbulimit

“Gradualisht janë bërë ndryshime në këtë drejtim, kështu që rezultati më i madh arrihet në vitin 2021, kur gratë fitojnë pozita të larta drejtuese dhe gra drejtojnë ekipe operative. Sigurisht, kjo është për shkak të punës së mundimshme të grave, përkushtimit dhe profesionalizmit të tyre, por edhe ndërgjegjësimit për rolin dhe rëndësinë e gruas në komunitetin e zbulimit. Megjithatë, ne kemi dëshmuar se gratë munden dhe arrijnë suksese të mëdha në procesin e menaxhimit”, theksoi zëvendësdrejtoresha e AZ-së.

Ajo shtoi se institucioni ka bërë një hap përpara në parandalimin e çfarëdo lloj diskriminimi me ligjin e ri për Agjencinë e Zbulimit. “Me nenin 27 ndalohet çdo lloj diskriminimi në aspektin e moshës, në aspektin fetar, në aspektin etnik, në aspektin e origjinës kombëtare dhe sociale, statusit, përfshirë dhe orientimin gjinor”, ​​tha ajo

E pyetur pse vendosi të zgjedhë këtë profesion dhe si t'i motivojë gratë që të jenë pjesë e këtij sektori, duke ndarë përvojën e saj personale, e cila në AZ daton që nga viti 2002, Bakrevska-Dodovska tha se është sfidë e madhe që një grua të punojë në shërbimin e zbulimit, një segment që në shoqërinë tonë konsiderohet kryesisht si një botë mashkullore.

“Unë jam punësuar në AZ që nga viti 2002 dhe i kam kaluar të gjitha shkallët e hierarkisë, nga praktikante deri te zëvendësdrejtoreshë. Përvoja, ndjenja e përkatësisë dhe njohuria që ju kontribuoni në sigurinë kombëtare është e pakrahasueshme. Kuptohet që ka edhe shumë momente të vështira, që kërkojnë këmbëngulje dhe durim, por më e rëndësishmja në ato momente është që të mbizotërojë profesionalizmi dhe fokusi në punë. U bëj thirrje grave që të jenë të guximshme, të mos dorëzohen dhe të punojnë me shumë dashuri”, - tha Bakrevska-Dodovska. Nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në Agjencinë e Zbulimit, 34% janë gra. Ato janë pothuajse në gjysmën e pozitave drejtuese, pra 45%. Për krahasim, në vitin 2018, 28% e grave mbanin poste drejtuese.