Shkup - 01 tetor 2021

Erolld Musliu u drejtohet studentëve të Fakultetit të Sigurisë - Jini dëgjues të mirë, planifikojeni kohën tuaj dhe jini gjithmonë të gatshëm, kjo është garanci për sukses


Fjala e drejtorit të AZ-së, Erolld Musliu në orën e parë akademike në Fakultetin e Sigurisë - Shkup:

I nderuari ministër i punëve të brendshme z. Oliver Spasovski,

I nderuar rektor i Universitetit Shën Klimenti i Ohrit, z. Korunovski,

I nderuari dekan i Fakultetit të Sigurisë, z. Nikolla Dujovski,

Të nderuar drejtorë të institucioneve në fushën e sigurisë,

Të nderuar të ftuar,

Të dashur studentë,

Në fillim, do të doja të shpreh mirënjohjen time personale në emër të anëtarëve të Agjencisë së Zbulimit, që jam i ftuar sot këtu para Jush, të prezantoj Agjencinë e Zbulimit dhe t'ju uroj orë të parë akademike të suksesshme në Fakultetin e Sigurisë. Të them të drejtën, duke ardhur këtu m’u kujtuan ditët e mia studentore. U ktheva 32 vite pas kur u regjistrova në Fakultetin e Sigurisë. Këtu shoh shumë kolegë me të cilët kemi studiuar, kemi ndarë momentet më të bukura të ditëve studentore, por edhe më vonë gjatë karrierës. Më kujtohet qershori i vitit 1993, kur u diplomova në këtë fakultet dhe m'u dha shansi të punësohem në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të jem pjesë e shërbimit të atëhershëm të sigurimit të shtetit dhe më tej, në karrierën time prej rreth 28 vjetësh, të përjetoj momentin kur si profesionist, në maj të vitit 2019, me dekret të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Stevo Pendarovski , të emërohem drejtor i Agjencisë për Zbulim. Sigurisht që është nder dhe krenari e madhe për një profesionist të udhëheqë një shërbim kaq të rëndësishëm në sistemin e sigurisë kombëtare, dhe në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh se Republika e Maqedonisë së Veriut është një vend multikulturor, multikonfesional dhe multietnik, t’i jepet shansi një profesionisti, shqiptari etnik që për herë të parë në historinë e vendit tonë, të udhëheqë Agjencinë e Zbulimit.

Në pjesën e dytë të fjalës sime, do të doja t'jua afroj imazhin e Agjencisë së Zbulimit. Cila është Agjencia e Zbulimit dhe kush jemi ne, agjentët e zbulimit në Agjencinë e Zbulimit? Agjencia e Zbulimit është një organ i veçantë i administratës shtetërore me kompetenca për të mbledhur, përpunuar, analizuar, informuar dhe shkëmbyer informacione me përdoruesit, aleatët tanë dhe partnerët e rëndësishëm për sigurinë, mbrojtjen dhe interesat e politikës së jashtme të shtetit. Prioritetet në punën e Agjencisë së Zbulimit i përmban ligji i ri për AZ-në, i cili u miratua në janar të këtij viti dhe ato janë: rivaliteti gjeopolitik dhe dukuritë dhe proceset rajonale strategjike të sigurisë, kërcënimet asimetrike në radhë të parë terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, migrimi i paligjshëm si një dukuri sigurie por edhe si mjet në strategjitë hibride të aktorëve strategjikë, krimi i organizuar transnacional, kërcënimet kibernetike, si dhe mësimi që kemi nxjerrë në 19 muajt e fundit lidhur me pandemitë, që mund të kenë ndikim dhe mbi sigurinë kombëtare të vendeve. Reforma e re e sistemit të sigurisë e ka përfshirë edhe Agjencinë e Zbulimit. Ndryshuam mënyrën e funksionimit. Ne tani jemi një shërbim zbulimi modern, i bazuar në standardet e NATO-s dhe kërkesat e Bashkimit Evropian. Ne punojmë në tre shtylla, gjegjësisht në tre rrathë. Ajo për të cilën jemi krijuar është mbledhja e informacionit. Shtylla e parë e përbën mbledhjen e informatave të zbulimit dhe kryerjen e operacioneve. Këtu jemi bazuar në burimet njerëzore, studentët do të mësojnë për HUMINT, do të mësojnë për SIGINT, për zbulim teknik, do të mësojnë për OSINT - informacion nga burimet e hapura dhe gjithçka që shkon me "INT", d.m.th. me zbulimin. Shtylla e dytë, gjegjësisht rrethi i dytë, është funksioni i mbështetjes logjistike të atyre që janë në operacione, që mbledhin informacion. Mbështetje materiale, administrative, financiare. Shtylla e tretë është segmenti i sigurisë, që nënkupton mbrojtjen fizike të selisë së Agjencisë, të punonjësve, të informacionit që ne krijojmë, mbrojtjen e operacioneve të kundërzbulimit dhe mbrojtjen kibernetike. Puna në grup është një garanci suksesi në një agjenci zbulimi dhe zbuluesi, si pjesë e ekipit, është një hallkë shumë e rëndësishme. Motoja jonë në punë është NE, dhe jo unë. Vetëm me përpjekje të përbashkëta, me organizim të mirë dhe punë sipas prioriteteve mund të arrihet rezultati i dëshiruar. Zbuluesi punon sipas planit dhe me përgatitjen e duhur, por paraprakisht me informacion cilësor. Zbuluesi është patriot, e do dhe punon për vendin e tij dhe i mbron qytetarët. Zbuluesi është besnik ndaj ekipit ku punon. I ruan dhe i mbron informatat, i ruan dhe i mbron kolegët e tij me të cilët është në operacion. Mbron të mirat materiale, që i disponon për kryerjen me sukses të detyrave të tij.

Së fundi, të dashur studentë, ju uroj një fillim të suksesshëm të vitit akademik, studime të suksesshme, shumë shëndet dhe mirëqenie. Jini dëgjues të mirë, planifikojeni kohën tuaj dhe jini gjithmonë të gatshëm – kjo është një garanci për sukses. Shpresoj që sot, me fjalimin tim të shkurtër, Jua afrova imazhin për ne si institucion, dhe ndoshta, në një të ardhme të afërt, te disa prej jush do të shfaqen afinitete dhe dëshirë për t'iu bashkuar Agjencisë së Zbulimit.

Ju faleminderit!