Shkup - 02.12.2020

Intervistë e Erolld Musliut për MKD.MK


EROLLD MUSLIU: BULLGARIA NUK ËSHTË ÇËSHTJE E SIGURISË SË SHTETIT

Rolin e bashkësive fetare islame më tepër e shoh nga aspekti i parandalimit dhe kundërshtimit të radikalizimit, i cili duhet të realizohet në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore dhe sektorin civil, thotë në intervistë për MKD.mk,Erolld Musliu, drejtor i Agjencisë së Zbulimit. Në një nga paraqitjet e tija të rralla publike, Musliu zbulon se në kampet e refugjatëve ne Siri qëndrojnë disa gra dhe femijë me prejardhje nga Maqedonija e Veriut, të cilët jetojnë në kushte jo humane, ku situata kërcënon të dalë jashtë kontrollit dhe të përballemi me një arratisje masive dhe me këtë të krijohet situatë që në atë valë të gjenden edhe elemente terroriste. Me drejtorin e Agjencisë së Zbulimit, gjithashtu diskutuam rreth çështjes së koronavirusit, kontestin me Bullgarinë dhe për tema tjera.

Kaloj një vit nga paraqitja e koronavirusit në gjithe botën, virus me të cilin edhe vendi ynë po lufton që nga fundi i muajit shkurt. Çfarë veprojnë në atë fushë shërbimet e sigurisë dhe zbulimit, konkretisht Agjencia e Zbulimit?

Pandemia padyshim që ndryshoi plotësisht mënyrën tonë të jetesës dhe një ndryshim i tillë do ndjehet edhe pas tejkalimit të saj. Të gjitha institucionet e kishin të patjetërsueshme ti përshtaten realitetit të ri si nga aspekti i funksionimit të brendshëm ashtu edhe nga aspekti i përmbushjes së misionit të tyre.

Qasja e Agjencisë ndaj pandemisë është si ndaj një fenomeni global, aq më tepër pasi reflekton dhe shkakton ndryshime në marrëdhëniet e përgjithshme politike, ekonomike dhe ndërkombëtare, por edhe ndaj shfaqjes së kërcënimeve asimetrike dhe hibride. Në kushte të tilla, përshtatja me realitetin e ri është identifikuar si nga organizatat terroriste ashtu edhe nga strukturat e organizuara të krimit transnacional. Me anë të zbatimit të aktiviteteve mediatike-propagandistike dhe mjeteve diplomatike për ndikim mbi opinionin publik gjithashtu u adaptuan edhe krijuesit e strategjive hibride. Në këtë drejtim, shtete të caktuara, duke krijuar një perceptim të rremë në publik, ngjallën emocione pozitive për vendet të cilat nuk janë anëtare të NATO-s, kundrejt BE-së dhe NATO-s "inerte dhe jo-solidare".

Ndryshime të tilla nënkuptojnë një qasje të re në punën e shërbimeve të sigurisë dhe zbulimit, pavarësisht rrethanave kufizuese për funksionimin normal. Agjencia e Zbulimit iu përshtat realitetit të ri duke e ruajtur nivelin e efikasitetit dhe informimit të rregullt ndaj shfrytëzuesve të informacioneve, përfshirë këtu edhe Ministrinë e Shëndetësisë. Në kushte të tilla, Agjencia realizoi një bashkëpunim dinamik me shërbimet partnere të zbulimit, duke shkëmbyer përvoja dhe informacione lidhur me ballafaqimin me pandeminë, të dobishme për sektorin e shëndetësisë në vendin tonë.

Sa ndikon situata aktuale në vend, veçanërisht marrëdhëniet me Bullgarinë, mbi vlerësimin e sigurisë së Maqedonisë së Veriut? Vallë keni informata për aktivitet të përforcuar zbulimi nga shtetet e huaja në Maqedoninë e Veriut?

Marrëdhëniet me Bullgarinë nuk janë çështje e sigurisë së shtetit. Bullgaria është aleati ynë brenda NATO-s dhe ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me agjencitë civile Bullgare të sigurisë dhe zbulimit. Ne si Agjenci ndajmë të njëjtat angazhime dhe interesa strategjike me agjencitë Bullgare dhe bashkërisht ballafaqohemi me kërcënime asimetrike dhe hibride. Në këtë kontekst, AZ ndjek aktivitetin e zbulimit dhe veprimet e vendeve që zhvillojnë strategji hibride, dhe brenda të cilave veprimtarija propagandistike me anë të krijimit të lajmeve të rreme, përshtatur me specifikat gjeografike, etnike dhe fetare mund të çojnë në konfuzion dhe pasiguri tek popullata dhe aktorët politik në vend. Në situata të tilla, është shumë e rrezikshme nëse politikanët dhe mediat pa dijeni hyjnë në thelbin e veprimtarise hibride-propagandistike të krijuesve të strategjive hibride dhe të shkaktojnë polarizim dhe ndarje plotësuese të shoqeruar me tensione ne shoqëri, posaqërisht për qëllime të brendshme politike dhe në periudhat parazgjedhore.

Dialogu Beograd – Prishtinë është një nga çështjet kyçe politike që është e lidhur me stabilitetin e gjithë rajonit. Cilat janë vlerësimet tuaja lidhur me rezultatin e këtij dialogu nën sponzorimin e BE-së?

Bëhet fjalë për një proces kompleks dhe të ndjeshëm negocimi, i bllokuar me vrasjen e një udhëheqësi të shquar politik të Sërbeve të Kosovës në vitin 2018 dhe i revitalizuar këtë vit me inicijativën e fuqishme të administratave të SHBA-së dhe BE-së. Mbi dinamikën dhe epilogun e ketij procesi negociues ndikojnë më shume faktorë edhe atë: pozicionet e Sërbisë, Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare; gjendja e brendshme politike në të dyja vendet, para së gjithash e Kosovës, posaqërisht për shkak të dorëheqjes së presidentit të Kosovës pas aktakuzës së konfirmuar nga ana e Gjykatës Speciale për krime lufte në Hagë. Pa vullnet politik të udhëheqjes politike ne Sërbi dhe Kosovë, nuk mund të pritet progres në procesin e negociatave. Pritet që negociatat të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, me zgjidhje të pranueshme ndërkombëtarisht duke respektuar parimet e paprekshmërisë së kufijve, pa implikime rajonale dhe të sigurisë.

Ngjarjet në Vjenë rihapën çështjen e radikalizmit islamik, Maqedonia e Veriut, organet maqedonase të sigurisë... Sa jemi të përgatitur, të trajnuar dhe të informuar rreth prezencës së atij radikalizmi në territorin maqedonas?

Radikalizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi për nga aspekti politik, etnik dhe fetar paraqesin kërcënim global, rajonal dhe kombëtar, dhe rrjedhimisht një ndër prioritetet në punën e Agjencisë së Zbulimit. Terrorizmi nuk njeh kufij, terroristi vret njerëz, sulmon objekte vitale, krijon frikë dhe konfuzion me qëllim që të çojë në urrejtje dhe polarizim fetar, racor dhe kombëtar në shoqëri. Rrjeti i inspiruesve, rekrutuesve dhe mbështetësve të ideologjisë së Xhihadit Global në Evropë dhe Ballkan është i ndërthurur dhe kalon nëpër shumë vende, shoqëruar me mbështetje logjistike. Fenomeni rreth luftëtarëve të huaj terroristë, për Agjencinë ngelet të jetë në fokusin e interesit të punës.

Kjo, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se që nga fillimi i luftës në Siri, rreth 1000 ithtarë të ideologjive radikale të rekrutuar dhe shfrytëzuar nga al-Kaeda dhe më vonë nga ISIS u larguan nga Ballkani Perëndimor për në Siri dhe Irak.

RMV është pjesë e koalicionit global kundër-ISIS, brenda të cilit Agjencia ka strategji për t'iu kundërvënë këtij fenomeni, anëtarët e saj janë profesionistë të trajnuar mirë, zhvillon bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe subjektet e brendshme të sigurisë. Bashkëpunimi në nivelin ndërkombëtar dhe kombëtar luan një rol kyç dhe u dëshmua nga rasti i fundit, kur në fillim të shtatorit të këtij viti, u arrestuan tre mbështetës të ISIS që po planifikonin të kryenin një akt terrorist. Lidhur me aktin e fundit terrorist në Vjenë, duhet theksuar se agjencitë maqedonase të sigurisë dhe zbulimit kanë bashkëpunim dhe komunikim të rregullt me institucionet e ngjajshme në Austri, duke shkëmbyer informacione përkatëse. Sigurisht, duhet ta kemi parasysh se një bashkëpunim dhe komunikim i tillë ka qenë gjithmonë në kornizat e kompetencave të shërbimeve austriake dhe legjislacionit të tyre si dhe kompetencave të subjekteve maqedonase të sigurisë.

Cili është roli i Bashkësisë Fetare Islame? Sa thellë i përcillni ligjërimet nëpër xhami, për të cilat jo rralle del se nuk kanë asnjë lidhje me Islamin?

Komunitetet fetare islame si institucione ose në disa shtete si shoqata kanë detyrë të rregullojnë çështjet lidhur me organizimin e jetës fetare në shtetin ku janë regjistruar. Si të tilla, nuk paraqesin interes sigurie për AZ. Përvoja e deritanishme ka treguar se rekrutuesit, frymëzuesit, ithtarët dhe ideologët e ideologjive radikale veprojnë në objekte të paligjshme fetare dhe lokacione të tjera. Rolin e e bashkësive fetare islame më tepër e shoh në aspekt të parandalimit dhe kundërshtimit të radikalizimit, i cili duhet të realizohet në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore dhe sektorin civil.

Nga të gjitha informacionet që i merrni, vallë mund të thuhet se edhe kriza e migracionit, rruga Ballkanike për refugjatët po përdoret nga radikalët dhe se individë po vendosen nëpër vendet e rajonit?

Për sa i përket identifikimit të kërcënimeve të jashtme, Agjencia e Zbulimit e trajton migrimin ilegal si një fenomen, por për shkak të pikave gjeografike nga ku shfaqet, dhe shoqërohet me pasiguri dhe paqëndrueshmëri politike, të shkaktuar nga flukset e refugjatëve, në qasjen e saj e trajton si kërcënim hibrid.

Përvoja e deritanishme ka treguar se rruga Ballkanike, e cila kalon nëpër vendin tonë, destinacioni përfundimtar i së cilës janë vendet e Evropës Perëndimore, u shfrytëzua nga elemente ekstremiste dhe terroriste që kryen akte terroriste në tokën Evropiane. Agjencitë e zbulimit dhe sigurisë bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë informacione në lidhje me identifikimin e elementeve terroriste, të cilat mund të kërcënojnë sigurinë kombëtare, duke përdorur si logjistikë strukturat kriminale që merren me organizimin e kanaleve dhe transferimeve të paligjshme. Më duhet ta përmend që në kampet e refugjatëve në Siri aktualisht qëndrojnë disa gra dhe femijë me prejardhje nga Maqedonija e Veriut, të cilët jetojnë në kushte johumane, ku situata kërcënon të dalë jashtë kontrollit dhe të përballemi me një arratisje masive dhe të krijohet situatë ku në atë valë të gjenden edhe elemente terroriste.

Nga ana tjetër, është fakt se në Siri kanë mbetur disa shtetas maqedonas, anëtarë të ISIS-it, disa prej të cilëve janë në burg, si dhe të tjerë që janë anëtarë të Hayat Tahrir al-Sham.

Nga pikëpamja e sigurisë, cili është bashkëpunimi me shërbimet e vendeve fqinje në lidhje me të kthyerit e ISIS-it me shtetësi të dyfishtë?

Që nga fillimi i luftës në Siri, agjencitë e sigurisë dhe zbulimit në Ballkan zhvilluan një shkëmbim intensiv të informacioneve, që përmbanin disa aspekte lidhur me procesin e largimit të vullnetarëve në fushëbetejat atje. Një nga ato aspekte ishte identifikimi i atyre që u larguan për në Siri dhe atyre që po përgatiteshin të largohen. Shkëmbimi i informacioneve ishte në një nivel të lartë profesional dhe në shumë raste ne ndihmuam njëri-tjetrin në parandalimin e largimeve për në Siri, si dhe në zbulimin e synimeve për të kryer akte terroriste në rajon. Duhet theksuar se një numër i caktuar vullnetarësh, me origjinë nga rajoni i Ballkanit dhe që kanë jetuar dhe punuar në vendet e BE-së, janë larguar për në fushëbeteja prej vendeve evropiane dhe pastaj në Siri janë bashkuar me një pjesë të grupeve të Ballkanit.

Gjatë zgjedhjes suaj si drejtor i AZ-së, kishit problem me BDI-në, parti që është pjesë e koalicionit qeverisës. Si qëndrojnë punët tani, u qetësua situata? Sa ky presion politik u krijon problem në punën tuaj të përditshme?

Është e vërtetë që në fillim të emërimit tim ka pasur reagime nga ana e BDI-së. Mendoj se ato ishin për shkak të informacionit të pamjaftueshëm në lidhje me profilin tim profesional si dhe situatën reale në Agjenci në të kaluarën. Por ky keqkuptim u tejkalua, dhe tani është një e kaluar. Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me ministrat e BDI-së në Qeveri, ata tashmë kanë mbështetur sistematizimin e AZ-së, si dhe tekstin e propozim - Ligjit të Agjencisë, i cili së shpejti do të hyjë në procedurën parlamentare.

Kur bëhet fjalë për presionin politik, duhet theksuar se Agjencia si institucion arriti që në peridhën prej një vit e gjysëm të ketë një rol të pavarur dhe autonom në punën e saj, e lirë nga ndikimet dhe presionet politike, gjë shumë e rëndësishëm për një shërbim profesional. Ka mbetur në të kaluarën situata kur individë të cilën duke shfrytëzuar lidhjet e tyre me strukturat më të larta politike në vend ndikonin dhe ndërhynin në punën e Agjencisë. Megjithëatë, unë si drejtor disa herë joobjektivisht isha personalisht shënjestër e sulmeve në pres konferencat dhe deklaratat partiake, të organizuara nga ana e opozitës, e cila ishte e keqinformuar dhe keqpërdorur nga individë të cilët nuk janë më pjesë e Agjencisë dhe i përkasin një të kaluare të hidhur të Agjencise.

A do të kishit mundur të thoni për veten tuaj se po punoni në mënyrë profesionale, pa kompromise dhe se ato që avansohen në Agjencinë e Zbulimit janë profesionistë e jo poltronë politik?

Parimet e udhëheqjes sime i mar nga përvoja ime profesionale e cila filloi 27 vite më parë në MPB për të vazhduar në Agjencinë e Zbulimit. Gjatë gjithë atyre viteve kalova të gjithë nivelet e hierakisë, dhe nga maji i vitit 2019 mu dha besimi për të udhëhequr Agjencinë e Zbulimit. Nderimi është edhe më i madh me faktin që për herë të parë në gjithë sistemin e zbulimit dhe sigurisë në këtë pozitë me aq përgjegjësi emërohet një shqiptar. Agjencia ka rol autonom dhe është shërbim profesional me kritere të përcaktuara, të cilat vazhdimisht plotësohen duke mos lënë vend për poltronët politik.

Çështjet e sigurisë, strukturat e sigurisë janë pjesë e asaj që na paraprin në proceset e integrimit evropian. Si qëndrojmë këtu si shtet? A do ta kalojmë lehtë atë kapitull?

Varet nga ne si shtet nëse dhe sa lehtë do ta kalojmë Kapitullin 3.24 Drejtësia, liria dhe siguria, i cili sipas metodologjisë së re të bisedimeve është pjesë e klasterit të parë – themelet, që hapet i pari ndërsa mbyllet i fundit. Përmbushja e reformave në këtë klaster do të ndikojë në dinamikën e bisedimeve për anëtarësim në tërësi. Reforma në shërbimet e sigurisë dhe zbulimit paraqet një nga priorotetet kyçe në procesin e integrimit europian, e parashikuar brenda prioriteteve urgjente të reformës dhe i nënshtrohet monitorimit të intensifikuar nga Komisioni Evropian. Nevoja për reforma në sektorin e sigurisë dhe zbulimit është çështje e cila në vazhdimësi përsëritet edhe në raportet e Komisionit Europian. Me rëndësi thelbësore është që reforma të jetë e mbaruar dhe zbatuar plotësisht, duke siguruar funksionim jopartiak të shërbimeve të zbulimit.

Çfarë ndryshimesh parashikohen me ndryshimet e reja në Ligjin për Agjencinë e Zbulimit?

Para fillimit të reformave në shërbimet e sigurisë dhe zbulimit në vitin 2018, Agjencia e Zbulimit ishte i vetmi shërbim në vend i formuar me ligj, që daton nga viti 1995. Për të përfunduar procesin e reformës në këtë fushë, të inicuar nga ligjet për ATO, ASK dhe Ligjit për koordimin të komunitetit të sigurisë dhe zbulimit, u paraqit nevoja për një ligj të ri për Agjencinë e Zbulimit. Ligji i ri ofron më shumë risi për sa i përket funksionimit të saj dhe statusit të të punësuarve në të. Ndahen qartë kompetencat e AZ dhe ASK-së, respektivisht AZ definohet si institucion i vetëm përgjegjës për zbulim të jashtëm, e cila grumbullon informacione të zbulimit mbi kërcënimet asimetrike, hibride dhe kibernetike nga jashtë. Mes përfitimeve të tjera do ta kisha përmendur edhe kyçjen e pozitës së zëvendës drejtorit të AZ-së, integrimin e kriteriumeve të NATO-s, për herë të parë kyçjen e kontrollit të brendshëm dhe mbikqyrjes mbi punën e Agjencisë, transparencën në punë, barazimin e statusit të të drejtave të punonjësve me të gjithë punonjësit në sektorin e sigurisë në RMV

Të gjitha informacionet të cilat dalin në opinion kohëve të fundit lidhur me keqpërdorimet nga ana e zyrtarëve të strukturave të sigurisë vetëm na dëshmonë se sa e brishtë është kjo fushë. Si ballafaqoheni me këtë? Deri ku është denoncimi për konflikt interesash të Agjencisë këshilldhënëse të bashkëshortes suaj dhe pozitës tuaj aktuale?

Deri më tani, nuk kemi pasur raste të proceseve gjyqësore për veprimtari korruptive të zyrtarëve nga Agjencia e Zbulimit. Lidhur me denoncimin për konflikt interesash të shoqatës qytetare, kryetar e së cilës është bashkëshortja ime, dua të potencoj se Agjencia asnjëherë nuk ka krijuar marrëdhënie pune me atë shoqatë. Siç u njoftua publikisht, procedura kundër meje, e formuar pas një denoncimi anonim, përfundoi me një vendim, "ndalje", të miratuar nga KSHPK më 2 tetor.

Çfarë ndërmorët pas skandaleve në Bruksel të dy anëtarëve të AZ-së, të cilët u arrestuan nga policia e Brukselit për shkak të paranojës së tyre, ndërsa njëri prej tyre përsëri është përfaqësues në Sarajevë?

Rasti për të cilin po pyesni, për fat të keq ishte gabimisht i paraqitur para publikut tonë, nga njerëz që padyshim për interesat dhe arsyjet e tyre personale duan ta demtojnë reputacionin e AZ-së si institucion dhe të shtetit tonë në përgjithësi. Rasti ndodhi gjatë mandatit të drejtorit të mëparshëm të AZ-së ndërsa u plasua publikisht pas emërtimit tim. Deri në emërimin tim si drejtor i AZ-së asnjë masë nuk u mor për të shqyrtuar çështjen. E shqyrtova rastin, bisedova me kolegët rreth rastit dhe vendosa që njëri prej tyre të dënohet ne përputhje me autorizimet e mija. Lidhur me pjesën e dytë të pyetjes tuaj, për një diplomat të vendit tonë në Bosnje dhe Hercegovinë, duhet theksuar që nuk ka të bëjë me personin për të cilin janë ndërmarrë masa disiplinore.