Shkup- 04 Mars 2024
Agjencia e Zbulimit demanton me ashpërsi akuzat e deklaruara të nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski, në tribunën e partisë mbajtur më 02.03.2024 para Konventës për përzgjedhjen e kandidatit për president. Periudha kur nominohen kandidatët për president të shtetit keqpërdoret për shpërndarje të retorikës kërcënuese ndaj institucionit që është nën kompetencat e presidentit, si dhe ndaj punonjësve të saj.
Në prezantimin e tij, Nikolloski përdor gënjeshtra të shumta dhe pretendime të pabazuara kundër Agjencisë me qëllim që të dëmtojë integritetin dhe reputacionin e saj. Përveç kësaj, ai këtë e bën në emër të kandidatit të emëruar, të cilit ia drejton lëvizjet që do të duhet t’i ndërmarrë pas 12 Majit 2024.
Kjo nuk është hera e parë që publiku manipulohet në këtë mënyrë dhe pas përpjekjeve të dështuara për linçim publik të Agjencisë, sërish të njejtat pretendime, si sensacione, prezantohen dhe ripublikohen në profile dhe media të rrejshme.
Në tribunë, punonjësit e Agjencisë u cilësuan si “një grumbullim” duke i nënçmuar ata si profesionistë dhe Agjencinë si kontribues i rëndësishëm në sigurinë kombëtare.
Agjencia u akuzua për përhapjen e dezinformatave dhe sajimin e raporteve që është një gënjeshtër absolute, duke pasur parasysh se ajo funksionon sipas metodologjisë së vendosur të punës me informacione të klasifikuara. Agjencia pa argumente akuzohet se ka monitoruar udhëheqësinë e lartë të VMRO-DPMNE-së. Në periudhën e deritanishme, nuk ka dëshmi për pretendimet e tilla të publikuara as edhe para institucioneve përkatëse, përfshirë Prokurorinë Publike dhe Komisionin Kompetent Parlamentar.
Po ashtu, publikut i garantojmë se Presidenti Stevo Pendarovski nuk ndërhyn në punën e Agjencisë dhe asnjëher nuk ka dhënë urdhër për ndjekjen e disidentëve politik.
Është e ditur se ndjekja e disidentëve politikë dhe komunikimeve të kryera dhjetë vite më parë shkaktoi një destabilitet politiko-siguror në vendin tonë, e cila rezultoi në reformimin e sektorit të sigurisë dhe të zbulimit.
Apelojmë që në periudhën parazgjedhore të mos keqpërdoret emri i Agjencisë së Zbulimit për të mbledhur pikë partiake, të mos mashtrohen qytetarët duke publikuar të pavërteta dhe të mos cenohet besimi në institucionet e sigurisë-zbulimit.