Shkup - 22 mars 2021
Z. Musliu, ç’është kovid diplomacia, një term që po e dëgjojmë më shpesh kohët e fundit dhe çfarë duan të arrijnë shtetet që e zbatojnë atë?
Kovid diplomacia është vegël në strategjinë hibride, e cila u shfaq me fillimin e pandemisë Kovid dhe zgjat në periudhën e kaluar prej një viti. Çdo krijues dhe zbatues i strategjisë zhvillon masa taktiko-operative për veprim, që përfshijnë disa platforma të bazuara në interesin gjeopolitik, gjendjet rajonale dhe konfigurimin në terren. Strategji hibride për veprim dhe prani në një rajon të caktuar zhvillojnë vetëm vendet e mëdha me interes gjeostrategjik, të cilat, gjithashtu, duhet të gjejnë pika rajonale nga ku do ta zbatojnë agjendën e caktuar. Ato zhvillojnë platforma, të bazuara në shtetin, në të cilin ka interesa dhe mund të ndryshojnë midis përdorimit të diplomacisë, zbulimit, interesave ekonomikë dhe të biznesit, veprimit mediatik-propagandistik, me qëllimin përfundimtar të ushtrimit të presionit mbi qeveritë dhe realizimin e interesave të tyre. Të gjithë e mbajmë mend se në fillim kishte një luftë për informacion mbi furnizimin me maska, skafandra, doreza dhe dezinfektues, kurse në periudhën e fundit është kthyer në një nevojë për të siguruar vaksina. Momentalisht është duke u shfrytëzuar procesi i vaksinimit dhe promovimit të një vaksine mbi një tjetër, por mbase në një periudhë tjetër do të shndërrohet në betejë për të marrë ilaç.
Cilat vende e zbatojnë kovid diplomacinë dhe në çfarë mënyre ushtrohet presioni mediatik?
Taktika në përhapjen e lajmeve të rreme fillimisht u zhvendos nga nevoja për të gjetur fajtorin për origjinën dhe përhapjen e pandemisë, për të kaluar më vonë në një fazë humanitare-shpëtimi, që përmbante elemente të ekspozimit të propagandës mediatike të dhënies së donacioneve, të cilat arrinin me aeroplanë ushtarak në Ballkan, por edhe në vendet e tjera evropiane, në mënyrë që të tregojë paaftësinë e qeverive dhe të krijojë konfuzion dhe mosbesim mes popullatës për vlerat e vërteta të demokracive perëndimore dhe aleatëve tanë. Por Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e NATO-s dhe ndan dhe punon në realizimin e prioriteteve dhe sfidave strategjike-të sigurisë. Për këtë aktivitet nevojiten pika rajonale, nga ku krijuesi i lajmeve të rreme, si pjesë e strategjisë hibride, do të mund t'i zgjerojë ato në media, konkretisht duke menduar për rajonin dhe madje edhe në vendin tonë.
Kur e përmendët tashmë vendin tonë, a ndihet ai presion këtu, sa është i pranishëm ai presion nga kjo kovid diplomaci?
Pra, presioni është i dukshëm, i dukshëm ishte dhe nervozizmi, shumë media raportonin, kishte një luftë midis qeverisë dhe opozitës për ngjarje të ndryshme, kështu që këto janë shumë elementë që i dëshirojnë krijuesit e strategjive hibride, për të ardhur në një situatë të tillë. Kjo është arsyeja pse unë them që edhe vendi ynë nuk ka qëndruar i imunizuar ndaj një veprimi dhe presioni të tillë mbi qeverinë tonë.
Çfarë po ndërmerr konkretisht Agjencia e Zbulimit për ta lehtësuar atë presion, cilat mekanizma po përdorni?
Agjencia e Zbulimit, si shërbimet e tjera pas shfaqjes së pandemisë, ka drejtuar një pjesë të kapaciteteve të saj për të ndihmuar vendin. Ne kemi punuar në mënyrë të pavarur në terren dhe kemi shkëmbyer informacion me aleatët dhe partnerët tanë për marrjen e masave dhe shkëmbimin e përvojave në vendet e tyre për ta bërë më të lehtë trajtimin dhe përshtatjen e situatës. Sa serioze është qasja jonë ndaj këtij fenomeni të ri dhe si do të punojmë në të ardhmen dëshmon fakti se në Ligjin e ri për Agjencinë e Zbulimit, që u miratua në janar, një nga përparësitë për punë është mbledhja e informacionit mbi pandemitë globale me potencial për destabilizimin dhe ndikimin në sigurinë kombëtare; kjo shkon paralelisht me rivalitetin gjeopolitik dhe vendet që zhvillojnë strategji hibride.