Shkup - 29 mars 2021
Më lejoni t'jua uroj 29 Marsin - Ditën e Agjencisë së Zbulimit, në të cilën ne festojmë 26 vjet të ekzistencës së saj. Është nder dhe privilegj të jesh anëtar i një institucioni të tillë, puna e të cilit është shumë komplekse dhe e rëndësishme, por në të njëjtën kohë edhe fisnike dhe sekrete. Gjatë vitit të kaluar, u përballëm me shumë sfida për shkak të pandemisë KOVID-19 në nivel global, shoqëruar me strategji hibride të aktorëve gjeopolitikë dhe rajonalë, të mbështetur nga shumë lajme të rreme, por edhe sfida në fushën e kërcënimeve asimetrike. Në një situatë të tillë, ne zbatuam një strategji të përshtatshme, për t'u adaptuar me situatën e re dhe u pozicionuam dhe iu kundërvumë si duhet kërcënimeve. Nga ana tjetër, siguruam kujdes shëndetësor në kohë dhe të vazhdueshëm dhe siguri në punë për punonjësit tanë.
Veçanërisht, jam krenar për suksesin tonë me miratimin e ligjit të ri për AZ-në, me të cilin përfunduan reformat e sigurisë në vendin tonë. Me Ligjin, ne i përmbushëm sugjerimet në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2020 dhe i zbatuam rekomandimet e NATO-s, duke e përcaktuar veten si shërbim për zbulim të jashtëm. Shumë nga kolegët dhe koleget tona me meritë morën kushte shumë të favorshme për pensionim dhe, me këtë rast, dëshiroj t'i falënderoj sinqerisht për profesionalizmin, kontributin dhe punën e tyre të përkushtuar dhe t’ju uroj atyre shumë shëndet dhe sukses në jetën e mëvonshme. Me Ligjin për AZ-në, u hap mundësi për ta përtërirë Agjencinë me kuadro të rinj, tek të cilët duhet të mbështetemi më shumë në të ardhmen. Jam i bindur që kolegët e rinj do të kenë diçka për të mësuar dhe për t’u përmirësuar, kurse është detyra jonë, që jemi më me përvojë, të kujdesemi që, mbi të gjitha, njohuritë dhe përvojën e fituar, ta ndajmë me njëri-tjetrin dhe t'ua transmetojmë brezave të rinj. Në këtë kontekst, angazhimi ynë është që në të ardhmen e afërt të përmirësojmë kapacitetet teknike, që do të lehtësojnë ndjeshëm punën e Agjencisë dhe do të sigurojnë mbrojtje më të madhe të të dhënave tona.
Me Ligjin për AZ-në, zbatojmë përfaqësim adekuat dhe të drejtë të qytetarëve dhe garantojmë barazi gjinore. Kështu, për herë të parë në Agjenci, Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, emëroi një grua në pozitën e zëvendës drejtorit, e cila vjen nga ekipi ynë profesional. Si kolegu Juaj dhe drejtor i Agjencisë së Zbulimit, udhëhiqem nga parimet e patriotizmit, meritokracisë dhe besnikërinë institucionale. Unë pres nga Ju që t’i zbatoni këto vlera morale, të plotësuara me karakteristikat tuaja personale.
Agjencisë i duhen profesionistë dhe ekspertë të përkushtuar në fushat e tyre, të çliruar nga çdo ndikim, të cilët vlerësohen për punën e bërë, iniciativën, punën në ekip dhe sigurimin në kohë të informacionit. Pres që secili prej Jush, pavarësisht se në çfarë niveli është në strukturën tonë, të përqendrohet në sigurimin e informatave të zbulimit, të rëndësishme për stabilitetin dhe sigurinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vetëm në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të mbrojmë veten krah për krah me aleatët tanë, të kujdesemi për sigurinë kombëtare dhe të mbrojmë shtetin dhe qytetarët tanë.
Na qoftë e gëzuar Dita e AZ-së!
Me respekt, Erolld Musliu